LEGJISLACION NË FUSHËN TATIMORE
LIGJI NR. 99/2015 PËR DISA NDRYSHIME DHE SHTESA NË LIGJIN NR. 9920, DATË 19.5.2008, “PËR PROCEDURAT TATIMORE NË REPUBLIKËN E SHQIPËRISË”, TË NDRYSHUAR.
Sipas parashikimeve të Ligjit të sipërpërmendur, cdo tatimpagues, i cili konstatohet se kryen veprimtari në adresa të pa deklaruara, për të cilat nuk ka kryer përditësimin e të dhënave, në përputhje me nenin 43 të këtij ligji, por mallrat që mban në ruajtje, përdor apo transporton janë të shoqëruara me dokumente tatimore, dënohet me gjobë prej 500 000 (pesëqind mijë) lekësh.
Gjithashtu, cdo blerësi, person fizik, juridik ose individ, i lind e drejta të mos kryejë transaksionin për vlerën e mallit ose shërbimit të ofruar, nëse shitësi nuk lëshon faturën tatimore ose kuponin tatimor, në përputhje me këtë ligj. Për këtë qëllim,tatimpaguesi detyrohet të afishojë në një vend të dukshëm, në adresën ku kryen veprimtarinë, një njoftim për blerësin.
Deri në datën 31.3.2016, për të gjithë tatimpaguesit që kryejnë shitje me shumicë të mallrave te blerës, joushtrues të një veprimtarie tregtare (individë), shitjet me kupon tatimor, të lëshuar nga pajisja fiskale, nuk duhet të tejkalojnë 10 për qind të vlerës së tatueshme të mallrave të shitura në të njëjtën periudhë tatimore të muajit të vitit të kaluar, pa përfshirë TVSH-në. Nga data 1 prill 2016, tatimpaguesit, që kryejnë shitje me shumicë të mallrave, nuk lejohen të shesin me kupon tatimor te blerës, joushtrues të një veprimtarie tregtare (individë).
Risi tjeter e ketij Ligji është krijimi nga Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve të bazës së të Dhënave të numrave IMEI të telefonisë celulare, në të cilën regjistrohen të gjithë numrat IMEI të telefonave celularë në momentin e importimit dhe të gjithë numrat IMEI të telefonave që shiten nga tatimpaguesit në tregun vendas, shitës me shumicë dhe shitës me pakicë, pa cenuar legjislacionin në fuqi për mbrojtjen e të dhënave personale.
Baza e të Dhënave të numrave IMEI aksesohet nga depozituesit e informacionit që janë importuesit, tatimpaguesit, shitës me shumicë, dhe tatimpaguesit, shitës me pakicë, vetëm për qëllime të popullimit të të dhënave, si dhe nga inspektorët e administratës tatimore gjatë ushtrimit të kontrolleve.
Tatimpaguesit me shumicë dhe me pakicë, brënda 1 muaji nga hyrja në fuqi e vendimit të Këshillit të Ministrave, duhet të ngarkojnë numrat IMEI të telefonave celularë te Baza e të Dhënave të të gjithë telefonave celularë gjendje. Kjo praktikë duhet të ndiqet më pas për çdo telefon të ri që hedhin në treg.
Gjithashtu ndalohet mbajtja apo përdorimi i pajisjeve fiskale dhe sistemeve të monitorimit të qarkullimit, të ndryshme nga ato të përcaktuara në këtë ligj apo aktet nënligjore në zbatim të këtij ligji.
Per sa i përket punësimit të punëmarrësve, ky Ligj parashikon se nëse nga verifikimi dhe kontrolli në vendndodhjen e biznesit rezulton se tatimpaguesi nuk ka deklaruar në organin tatimor çdo të punësuar rishtazi, të paktën një ditë kalendarike përpara fillimit të punës, përveç detyrimit për pagimin e shumës së detyrimeve tatimore dhe kontributeve të sigurimeve shoqërore e shëndetësore, të llogaritura nga data e konstatimit, dënohet me gjobë prej 500 000 (pesëqind mijë) lekësh.
Gjithashtu, nëse nga verifikimi dhe kontrolli rezulton se tatimpaguesi nuk ka deklaruar pagën reale të çdo të punësuari, në organin tatimor, përveç detyrimit për pagimin e shumës së detyrimeve tatimore dhe kontributeve të sigurimeve shoqërore e shëndetësore, të llogaritura nga data e konstatimit, dënohet me gjobë në masën 500 000 (pesëqind mijë) lekë për rastin e parë të konstatimit.
Penaliteti maksimal i parakishuar në këtë Ligj prek tatimpaguesin, që shet mallra me shumicë, që mban në ruajtje, përdor apo transporton mallra të pashoqëruara me dokumente tatimore, i cili dënohet me gjobë në masën 10 000 000 (dhjetë milionë) lekë, konfiskim të të gjithë sasisë së mallit, që mbahej në ruajtje, përdorej apo transportohej, i pashoqëruar me dokumente tatimore dhe rivlerësim tatimor të të ardhurave për një periudhë 6-mujore.
Gjithashtu nëse nuk afishon në një vend të dukshëm, në adresën ku kryen veprimtarinë, një poster që tregon të drejtën e blerësit për të mos paguar për mallrat dhe shërbimet e blera, në zbatim të pikës 3, të nenit 46, të këtij ligji, me gjobë në masën 500 000 (pesëqind mijë) lekë.
Mosafishimi i çmimeve të shitjes së mallrave apo shërbimeve dënohet me gjobë 500 000 (pesëqind mijë) lekë.
UDHËZIM NR. 14/2, DATË 08.10.2015 PËR DISA SHTESA DHE NDRYSHIME NË UDHËZIMIN NR. 24, DATË 2.9.2008, “PËR PROCEDURAT TATIMORE NË REPUBLIKËN E SHQIPËRISË”, I NDRYSHUAR.
Ky Udhëzim parashikon formatet e reja për kërkesat për rimbursim të TVSH-së. Kështu, formati 1, “Njoftim për mospranimin e kërkesës për rimbursim të TVSH-së”, formati 2, “Njoftim për pranimin e kërkesës për rimbursim të TVSH- së” dhe formati 3, “Njoftim për miratimin e rimbursimit të TVSH-së”, që i bashkëlidhen udhëzimit, zëvendësohen nga formati 1, formati 2 dhe formati 3, me të njëjtin emërtim, që i bashkëlidhen këtij udhëzimi dhe janë pjesë përbërëse e tij.
UDHËZIM NR. 25, DATË 5.10.2015 PËR NJË SHTESË NË UDHËZIMIN NR. DATË 04.09.2008 “PËR TAKSAT KOMBËTARE”, TË NDRYSHUAR.
Ky Udhëzim parashikon se në rastet e tjetërsimit të mjetit, zyrat noteriale përpara se të kryejnë procedurat e nevojshme ligjore për shitjen e tij, i kërkojnë shitësit të mjetit vërtetim nga DPSHTRR-ja nëpërmjet drejtorive rajonale të shërbimeve të transportit rrugor që mjeti nuk është debitor i taksës vjetore të mjeteve të përdorura të transportit apo nuk është i bllokuar nga organet kompetente të përcaktuara me ligj.
LEGJISLACION NË FUSHËN E GAZIT NATYROR
LIGJI NR. 102/2015 “PËR SEKTORIN E GAZIT NATYROR”
Ky ligj i ri i miratuar është përafruar plotësisht me Direktivën 2009/73/KE të Parlamentit Europian dhe të Këshillit, datë 13 korrik 2009, ”Mbi rregullat e përbashkëta për tregun e brendshëm të gazit natyror.
Ndër të tjera ky ligj përcakton rregullat për organizimin dhe funksionimin e tregut të gazit natyror, aksesin në treg, kriteret dhe procedurat që zbatohen për dhënien e miratimit për transmetimin, shpërndarjen, furnizimin dhe depozitimin e gazit natyror, si dhe funksionimin e sistemeve.
Ky ligj zbatohet për veprimtaritë në fushën e transmetimit, shpërndarjes, tregtimit, depozitimit, furnizimit, si dhe për ndërtimin e operimin e infrastrukturës së gazit natyror, pa përfshirë veprimtarinë e kërkimit dhe prodhimit të gazit natyror.
Ndërtimi dhe përdorimi i tubacioneve për transmetimin e shpërndarjen e gazit natyror, instalimeve të GNL-së, depozitave të gazit natyror, linjave direkte, lidhjes së sistemit shqiptar të gazit natyror me sistemet fqinje, si edhe çdo impianti, pajisjeje ose instalimi tjetër që përfshihet në sektorin e gazit natyror, bëhen me miratim nga Këshilli i Ministrave.
ERE është autoriteti rregullator i veprimtarive në sektorin e gazit natyror, me përjashtim të veprimtarisë së kërkimit dhe të prodhimit të gazit.
LEGJISLACION NË FUSHËN E ENERGJISË
VENDIM NR. 822, DATË 7.10.2015 PËR MIRATIMIN E RREGULLAVE DHE PROCEDURAVE TË NDËRTIMIT TË KAPACITETEVE TË REJA PRODHUESE TË ENERGJISË ELEKTRIKE, QË NUK JANË OBJEKT KONCESIONI.
Me anë të ketij Vendimi parashikohen rregullat qe përcaktojnë procedurat dhe dokumentacionin e nevojshëm për aplikimin, vlerësimin dhe dhënien e së drejtës për ndërtimin e një burimi të ri gjenerues të energjisë elektrike, që nuk është objekt koncesioni.
Objekt i këtyre rregullave dhe procedurave janë burimet e reja gjeneruese të energjisë elektrike, ndërtimi i të cilave bëhet me financime private, dhe që lidhen me rrjetet e transmetimit dhe/ose të shpërndarjes.
Çdo person që zhvillon veprimtari tregtare, sipas legjislacionit shqiptar, mund të aplikojë për marrjen e një miratimi për ndërtimin e burimeve të reja gjeneruese të energjisë elektrike, që nuk janë objekt koncesioni, mbi 2 MW.
Ndërsa ndërtimi i objekteve të reja, që nuk janë objekt koncesioni dhe kanë kapacitet prodhues nën 2 MW, bëhet me miratim të ministrit.