LEGJISLACION NE FUSHEN E DOGANAVE

VENDIM I KËSHILLIT TË MINISTRAVE NR. 366, DATË 30.4.2015 PËR DISA NDRYSHIME DHE SHTESA NË VENDIMIN NR. 205, DATË 13.4.1999, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR DISPOZITAT ZBATUESE TË KODIT DOGANOR”, TË NDRYSHUAR”.

Dispozitat zbatuese të Kodit doganor kanë pësuar disa ndryshime të cilat kanë të bejnë me zhdoganimin lokal.

Zhdoganimi lokal mundëson kryerjen e formaliteteve doganore në ambientet e operatorit ekonomik, duke mundësuar vendosjen e mallrave nën regjimin doganor vijues në mjedisin e operatorit ekonomik të interesuar apo në vendet e tjera të caktuara ose të miratuara nga Drejtoria e Përgjithshme e Doganave.

Çdo person mund të aplikojë për marrjen e një autorizimi për “zhdoganim lokal”, për përdorim vetjak ose për përdorim si një përfaqësues, me kusht që të përmbushen kushtet dhe kriteret e përcaktuara dhe të mundësohet lejimi i autoritetit doganor kompetent të identifikojë personat e përfaqësuar dhe të kryejë kontrollet e duhura doganore.

LEGJISLACIONI NE FUSHEN FISKALE

Vendim i Këshillit të Ministrave nr. 434, datë 20.5.2015 Për përcaktimin e normativave për firot, humbjet, dëmtimet dhe skarcot gjatë prodhimit, magazinimit, transportimit etj., të njohura për qëllime fiskale.

Humbjet dhe firot në procesin e prodhimit, të cilat nuk trajtohen nga akte të veçanta ligjore dhe nënligjore, sasia dhe vlera e lejuar e tyre llogariten duke u bazuar në kartat apo skemat teknologjike të procesit të prodhimit.

Brenda 45 ditëve, nga hyrja në fuqi e këtij vendimi, çdo tatimpagues duhet të paraqesë në Drejtorinë Rajonale Tatimore dokumentacionin për miratimin e firove, ku të përfshihen:

  1. karta teknologjike;
  2. përshkrimi i detajuar i procesit të prodhimit;
  3. planimetria e objektit;
  4. normativat e konsumit të lëndës së parë dhe të orëve të punës për njësi produkti të gatshëm (karta teknologjike), shoqëruar edhe me të dhënat për: llojin e lëndës së parë, të përdorur në procesin e prodhimit; fazat, në procesin teknologjik, ku përdoret lënda e parë.

Karta teknologjike, duhet të jetë e konfirmuar /certifikuar nga një institucioni njohur, që ka aftësinë teknike të konfirmimit të kartave teknologjike, si: Agjencia Kombëtare e Burimeve Natyrore (AKBN), Autoriteti Kombëtar i Ushqimit (AKU), Instituti i Materialeve të Ndërtimit, Drejtoria e Përgjithshme e Standardeve, Drejtoria e Patentave dhe Markave, Inspektorati Shtetëror, përgjegjës dhe Agjencia Kombëtare e Barnave dhe Pajisjeve Mjekësore, institucione që miratojnë karta të ndryshme teknologjike apo çdo institucion tjetër që ka aftësitë dhe lidhet me proceset teknologjike përkatëse.

Firot e miratuara nga drejtoritë rajonale tatimore (DRT), sipas këtij vendimi, njihen për efekte fiskale për periudha jo më të hershme se data e miratimit zyrtar në DRT.

LEGJISLACION NE FUSHEN E FARMACEUTIKE

Vendim i Këshillit të Ministrave nr. 359, datë 29.4.2015 Për miratimin e rregullores për parimet dhe udhëzimet e praktikës së prodhimit të mirë të barnave, për përdorim njerëzor, në Republikën e Shqipërisë

Kjo rregullore rregullon prodhimin farmaceutik vendas, si dhe përcakton udhëzime që duhet të ndiqen nga fabrikuesi për secilën fazë të prodhimit duke filluar që nga ambjentet, zgjedhja e personelit, kontrolli i cilësisë etj.

LEGJISLACION MBI PERDORIMIN E UJRAVE

Vendim i Këshillit të Ministrave nr. 416, datë 13.5.2015 Për miratimin e kushteve të përgjithshme e të posaçme, dokumenteve shoqëruese, afatit të vlefshmërisë, formularëve të aplikimit për autorizim dhe leje, procedurave të shqyrtimit e vendimmarrjes dhe formateve të autorizimit e lejes për përdorim të burimeve ujore.

VKM-ja percakton:

  • Kushtet e përgjithshme e të posaçme të autorizimit dhe lejes për përdorimin e ujërave,
  • Kërkesat për autorizim dhe leje për përdorim të burimeve ujore dhe të dokumenteve shoqëruese,
  • Formatin e autorizimit dhe lejes për përdorim të burimeve ujore

LEGJISLACION NE FUSHEN E ENERGJISE

Ligj nr. 43/2015 datë 30.4.2015 Për sektorin e energjisë elektrike

Ky është një ligj i ri, i cili rregullon marrëdhëniet në veprimtaritë e prodhimit, transmetimit, shpërndarjes dhe furnizimit me energji elektrike, si dhe vendos rregullat lidhur me:

  1. hapjen, organizimin dhe funksionimin e një tregu konkurrues të energjisë elektrike;
  2. pjesëmarrjen në tregun e energjisë elektrike;
  3. dhënien e autorizimeve dhe licencave në sektorin e energjisë elektrike;
  4. rregullimin e veprimtarive në sektorin e energjisë elektrike, mbrojtjen e klientëve, sigurinë e furnizimit dhe krijimin e strukturave konkurruese të tregut të energjisë elektrike;

Ligji nr. 9072, datë 22.5.2003, “Për sektorin e energjisë elektrike”, të ndryshuar, si dhe çdo dispozitë tjetër ligjore që bie në kundërshtim me këtë ligj, shfuqizohet.

Aktet nënligjore, që rregullojnë veprimtaritë në sektorin e energjisë elektrike, të miratuara përpara hyrjes në fuqi të këtij ligji, do të zbatohen për aq sa nuk bien në kundërshtim me këtë ligj, deri në rishikimin e tyre dhe daljen e akteve të reja, në përputhje me kërkesat dhe afatet e vendosura në këtë ligj

LEGJISLACION NE FUSHEN E HIDROKARBUREVE

Vendim i Këshillit të Ministrave nr. 411, datë 13.5.2015 “Për procedurat dhe kushtet për dhënien e përsëritjen e licencës së koncesionit të naftësjellësve për importimin, eksportimin dhe transportimin e naftës bruto”

Çdo person juridik i organizuar në formën e shoqërisë aksionare mund të aplikojë për marrjen e një licence koncesioni të naftësjellësve, për kryerjen e veprimtarisë

së transportimit, importimit dhe eksportimit të naftës bruto, në përputhje me rregullat që përcaktohen në këtë vendim.

Personi juridik i interesuar per tu pajisur me Licencë koncesioni të naftësjellësve, për kryerjen e veprimtarisë së transportimit, importimit dhe eksportimit të naftës bruto duhet të pajiset më parë me miratim paraprak, dhe të plotësojë kushtet e përcaktuara në kete vendim.

Aplikimet e depozituara në ministrinë përgjegjëse për hidrokarburet para hyrjes në fuqi të këtij vendimi trajtohen sipas vendimit nr. 553, datë 12.8.2004, të Këshillit të Ministrave, “Për procedurat dhe kushtet për dhënien e lejeve të koncesionit për ndërtimin dhe përdorimin e rafinerive, naftësjellësve e gazsjellësve”.