Udhëzim Nr.2, datë 17.1.2014 Për disa shtesa dhe ndryshime në udhëzimin nr.26, datë 4.9.2008 “Për taksat kombëtare”, të ndryshuar.
TAKSA PËR BENZINËN DHE GAZOILIN
Rritet taksa për benzinën dhe gazoilin, ishte 7 lekë/Litër bëhet 17 lekë/Litër.
TAKSA E RENTËS MINERARE
Kur zotëruesi i lejes së shfrytëzimit shet për konsum final brenda vendit mineralin apo nënproduktin e prodhuar prej tij, ai paguan taksën e rentës minerare në bankën e nivelit të dytë për llogari të drejtorisë rajonale ku është regjistruar për të gjithë sasinë e shitur.
KËTA TATIMPAGUES DETYROHEN:
- të bëjnë një deklaratë për çdo muaj, jo më vonë se 15 ditë pas përfundimit të muajit në të cilin janë realizuar shitjet
- të paguajnë taksën e rentës minerare për atë muaj në ose para datës së detyrueshme të deklaratës;
- deklarata për pagesën e rentës minerare dorëzohet në një nga mënyrat e parashikuara në ligjin “Për procedurat tatimore”, pranë drejtorisë rajonale tatimore, ku është i regjistruar personi fizik/personi juridik, zotërues i lejes minerare apo eksportuesi në rastin e eksportit me të tretët.
TAKSA E AMBALAZHEVE TË PLASTIKËS
Taksa e ambalazheve plastike caktohet në masën 100 lekë/kg dhe zbatohet si në import, ashtu edhe në prodhimin vendas. Vetëm për industrinë vendase të riciklimit, taksa për ambalazhet e prodhuara nga riciklimi i mbetjeve plastike të gjeneruara në vend caktohet në masën 50 lekë/kg, me kusht që subjekti ta provojë këtë fakt me anë të kartës teknologjike të prodhimit, deklaratave të importimit të lëndëve të para, si dhe dokumentimit të blerjeve të lëndëve të para brenda vendit.
TAKSA E AMBALAZHEVE TË QELQIT
Caktohet në masën 10 lekë/kg dhe zbatohet si në import, ashtu edhe në prodhimin vendas.
Importuesi për qëllimet e aplikimit të taksës së ambalazhit duhet të marrë masa që, vetë apo nëpërmjet kompanisë prodhuese apo eksportuese, të bëjë ndarjen e llojeve të ambalazhit të produkteve të importuara.
Të gjitha subjektet prodhuese të ambalazheve të plastikës dhe të qelqit duhet të paraqesin pranë drejtorisë rajonale ku janë regjistruar, këto dokumente:
- Licencë/leje/miratim nga institucioni përkatës, për prodhimin e produkteve njëpërdorimshe të plastikës dhe të qelqit;
- Kopje të kartës teknologjike të prodhimit.
Çdo ndryshim i kartës teknologjike duhet t’i njoftohet organit tatimor një muaj përpara.
VKM NR. 24, DATË 22.1.2014 “PËR PËRCAKTIMIN E RREGULLAVE PËR LËSHIMIN E AUTORIZIMIT TË MINISTRIT TË SHËNDETËSISË PËR IMPORTIMIN E BARNAVE TË PAREGJISTRUAR”
Kërkesa për autorizim importi për çdo bar të paregjistruar paraqitet pranë Drejtorisë Farmaceutike, në Ministrinë e Shëndetësisë, nga subjektet e licencuara për importimin e barnave. Në kërkesën për t’u pajisur me autorizimin përkatës për importimin e barnave të paregjistruar, për çdo bar të paregjistruar duhet të përcaktohen: emri, principi aktiv, doza dhe forma farmaceutike, sasia, çmimi për njësi i barit, emri dhe adresa e mbajtësit të autorizimit për hedhjen në treg të barit dhe/ose firma prodhuese, si dhe një përshkrim i shkurtër për përdorimin e barit.
Autorizimi për importimin e barnave të paregjistruar jepet vetëm për ata barna, që nuk janë të regjistruar në Qendrën Kombëtare të Kontrollit të Barnave dhe është i vlefshëm për një periudhë dymujore nga koha e lëshimit.
Çmimi i barit, për të cilin është dhënë autorizim importi, nuk duhet të ndryshojë për një periudhë 1-vjeçare nga data e hyrjes së barit në Republikën e Shqipërisë.
Përjashtimisht, brenda vitit pranohet kërkesa dhe lëshohet autorizim vetëm për importimin e barnave me çmim të njëjtë ose më të ulët se ai i deklaruar për herë të parë në atë vit.
LEGJISLACION NE FUSHEN E TATIMEVE
Udhëzim Nr.4, datë 25.1.2015 Për disa shtesa dhe ndyshime në udhëzimin nr.24, datë 2.9.2008 “Për procedurat tatimore në Republikën e Shqipërisë” të ndryshuar”
Kanë ndodhur ndryshimet e mëposhtme:
Taksa vendore mbi biznesin e vogël dhe tatimit mbi të ardhurat personale tashmë quhet tatim i thjeshtuar mbi biznesin e vogël dhe nuk administrohet më nga zyrat tatimore të qeverisjes vendore por do të administrohen nga drejtoritë rajonale tatimore.
- Afati që mer dijeni ose konsiderohet se ka marrë dijeni personi i tatueshëm për njoftimin e vlerësimit tatimor nga 7 ditë është bërë 10 ditë nga data e nisjes me postë.
- Ndryshon mënyra e pagesës së detyrimit tatimor, objekt ankimi. Mënyrat janë me pagesë ose vendosje garancie bankare pra ankimuesi në vënd të pagesës mund të vendosë garanci bankare për këtë shumë.
- Afati i kundërshtimit të rezultateve të kontrollit tatimor nga 5 ditë bëhet 15 ditë.
- Vlera e transaksioneve me para në dorë nga 300.000 bëhet 150.000 Lekë.
Tatimpaguesit, persona fizikë apo juridikë, tregtarë, që kryejnë ndërmjet tyre transaksione shitjeje ose blerjeje me para në dorë, kur vlera e transaksionit është më e madhe se 150 000 lekë, dënohen me gjobë në masën 10 për qind të vlerës së secilit transaksion.
Ky dënim zbatohet si për blerësin, edhe për shitësin, nëse të dy janë persona juridikë dhe/ose fizikë tregtarë, dhe blerësi ka paguar direkt shitësin me para në dorë.
Në rast se blerësi ka paguar me para në dorë në llogarinë bankare të shitësit, dënimi zbatohet vetëm ndaj blerësit. Ashtu sikurse, nëse shitësi i autorizuar nga blerësi, për likuidimin e transaksionit ka tërhequr me para në dorë nga llogaria bankare e blerësit, dënimi zbatohet ndaj shitësit.
Udhëzim i Përbashkët Nr.673/2, datë 28.1.2014 “Për përcaktimin e listës së mallrave dhe shërbimeve që përdoren në realizimin e fazës së kërkimit të operacioneve hidrokarbure nga shoqëritë e kërkimit të hidrokarbureve, të cilat përjashtohen nga pagesa e TVSH-së, si dhe procedurat e përjashtimit.
JANË TË PËRJASHTUARA NGA TATIMI MBI VLERËN E SHTUAR:
- Furnizimi i shërbimeve të fazës së kërkimit të hidrokarbureve që kryhen nga shoqëritë e kërkimit të hidrokarbureve (kontraktorët) dhe nënkontraktorët e tyre, të cilët në bazë të një marrëveshjeje hidrokarbure kryejnë operacione kërkimi të hidrokarbureve për vendburime të reja të naftës dhe të gazit.
- Importimi i mallrave dhe i shërbimeve të përfshira në vlerën e mallit që u nënshtrohen procedurave doganore, për realizimin e operacioneve të fazës së kërkimit të operacioneve hidrokarbure, të kryera nga kontraktorët ose nënkontraktorët e tyre që kryejnë këto operacione.
- Furnizimi i mallrave për realizimin e operacioneve të fazës së kërkimit që bëjnë kontraktorët për njëri-tjetrin ose nënkontraktorët për kontraktorët e tyre, të importuara si të përjashtuara nga TVSH –ja.
Lista e mallrave dhe e shërbimeve për operacionet e kërkimit të hidrokarbureve, të përjashtuara nga TVSH-ja është si më poshtë
- Studime gjeologjike dhe gjeofizike:
- hartografime dhe punime rilevimi në terren;
- analiza laboratorike e kampioneve dhe të dhënave;
- përpunimi dhe interpretimi i të dhënave gjeologo-gjeofizike.
- Punime gjeofizike me metoda të ndryshme
- transportimi i pajisjeve teknike dhe teknologjike dhe ndërtimi i infrastrukturës për punimet fushore tokësore dhe detare, si dhe laboratorike;
- regjistrimi i të dhënave fushore tokësore dhe detare;
- përpunimi i të dhënave dhe regjistrimeve fushore tokësore dhe detare;
- interpretimi gjeologo-gjeofizik i të dhënave të përpunuara.
- Shpimi i puseve të kërkimit për naftë dhe gaz:
- ndërtimi i rrugëve për arritjen në bazamentin e shpimit të pusit;
- ndërtimi i bazamentit të pusit;
- tërësia e shërbimeve të nevojshme për të mbështetur shpimin e pusit;
- 4. Projektet dhe studimet teknike dhe teknologjike për:
- transportimi dhe montimi i sondës dhe shpimi i pusit;
- matjet gjeofizike në pus;
- përvetësimi i pusit për identifikimin e naftës dhe të gazit;
- analizat e kampionaturës së përftuar gjatë shpimit;
- ndërtimi i linjave teknologjike dhe depozitave për transportimin dhe magazinimin e hidrokarbureve që mund të prodhohen gjatë fazës së kërkimit;
- matjet për orientimin e shpimit të pusit;
- furnizimi me kimikate dhe bazë materiale për përgatitjen e lëngut larës;
- transportimi dhe montimi i platformës detare të shpimit;
- pozicionimi i platformës detare sipas koordinatave të projektit;
- transportimi i punonjësve të operacioneve me helikopter ose anije;
- furnizimi i platformës detare me bazë materiale dhe ushqime;
- transporti për evadimin e mbetjeve të krijuara nga procesi i operacioneve të shpimit të pusit.
- projektet ndërtimore për sheshet e shpimit të puseve, rrugëve lidhëse, infrastrukturës mbështetëse;
- projektet teknologjike për shpimin e puseve dhe kryerjen e matjeve dhe analizave, përfshirë edhe përvetësimin e pusit;
- projektet ndërtimore dhe teknologjike për linjat lidhëse dhe depozitat e hidrokarbureve gjatë fazës së kërkimit.
Nuk e përfitojnë këtë përjashtim furnizimet e mallrave dhe të shërbimeve që nuk lidhen në mënyrë të drejtpërdrejtë me operacionet e kërkimit në kuptim të përcaktimit “Kërkim”, të tilla si p.sh.: shërbime interneti, telefonike, akomodimi, konsulencë juridike dhe ekonomike, financiare, ndërtimi i zyrave, transporti, shërbime sigurimi, shërbime të ruajtjes dhe sigurisë fizike, por pa u kufizuar vetëm në to.